Një burrë që pretendon se këshillat mjekësore të marra nga ChatGPT e çuan në prag të vdekjes ka paditur OpenAI, kompaninë që qëndron pas chatbot-it të njohur me inteligjencë artificiale, si edhe themeluesin e saj, Sam Altman.
Padia është ngritur nga Scott Winters, një pastor 55-vjeçar nga Florida, i cili pretendon se ChatGPT e këshilloi vazhdimisht të mos kërkonte ndihmë mjekësore, pavarësisht simptomave që po përjetonte, pak para se të pësonte një emboli pulmonare që rrezikoi jetën e tij.
Sipas padisë, ChatGPT e diagnostikoi në mënyrë të përsëritur dhe këmbëngulëse gabimisht, duke u mbështetur edhe në bisedat e mëparshme mbi fenë për ta siguruar se do të shërohej.
Ndrkohë OpenAI reagoi përmes zëdhënësit Drew Pusateri, i cili deklaroi për CBS News se “ChatGPT nuk është mjek dhe nuk duhet të përdoret kurrë si zëvendësim për kujdesin mjekësor, diagnozën apo trajtimin.”
Ai shtoi se është e zakonshme që njerëzit të kërkojnë informacione shëndetësore në internet, por se inteligjenca artificiale mund të ndihmojë vetëm për të gjetur përgjigje më të qarta, për të organizuar pyetjet dhe për t’u përgatitur për konsultat me profesionistët e shëndetësisë.
Padia, e depozituar më 21 korrik në Gjykatën e Lartë të Qarkut të San Franciskos, përshkruan se Winters ishte përdorues i rregullt i ChatGPT dhe kishte filluar të mbështetej tek ai edhe për çështje shëndetësore, duke refuzuar kërkesat e familjarëve dhe miqve për të shkuar në spital.
Disa javë përpara se të sëmurej rëndë, ai i kishte kërkuar ChatGPT këshilla për marramendje të përsëritura dhe luhatje të tensionit të gjakut.
Sipas padisë, në një nga përgjigjet chatbot-i e kishte këshilluar të vazhdonte të qëndronte në kolltukun ku kalonte pjesën më të madhe të kohës për shkak të problemeve shëndetësore.
