Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku sërish ka reaguar lidhur me deklarimet e ndryshme që janë duke u bërë pas aktgjykimit dënues në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në reagimin e saj, ajo ka përmendur kryeministrin Albin Kurti, pasi sipas saj, nuk duhet të flitet për lartësinë e dënimeve, por për thelbin e çështjes, që sipas saj është kriminalizimi i UÇK-së.
“Amani ju koftë, mos flisni për “asimetri dënimesh”, siç paska folur Kryetari i LVV-së. Sepse kjo i bie me thënë: dënojini, por jo bash kaq shumë, sepse këta katër burra nuk kanë bërë masakra e dhunë sistematike. A po e kuptoni thelbin e këtij dënimi? Këtu nuk bëhet fjalë nëse i morën 25 vjet, më pak apo më shumë. Thelbi është shumë më i rëndë: UÇK-ja është gjykuar si ndërmarrje e përbashkët kriminale. Është kriminalizuar vetë ideja e luftës çlirimtare. Pra, problemi nuk është masa e dënimit. Problemi është çfarë po dënohet. Lufta çlirimtare është kriminalizuar.”, ka shkruar Çitaku.



