Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, duke kritikuar mënyrën e drejtimit të kësaj gjykate dhe duke kërkuar më shumë transparencë dhe llogaridhënie.
Përmes një reagimi publik, Çitaku ka vlerësuar se një video-adresim pa mundësi për pyetje nga gazetarët nuk u jep përgjigje shqetësimeve të ngritura ndër vite lidhur me punën e Gjykatës Speciale.
“Nën drejtimin tuaj, Specialja e ka cenuar rëndë besimin në drejtësi. Një proces i padrejtë, mungesë transparence, llogaridhënie e pamjaftueshme dhe mangësi serioze në mbikëqyrje. Shqetësimet e ekspertëve ndërkombëtarë për barazinë e palëve, shkeljen e të drejtave të njeriut dhe monitorimin e pavarur kërkojnë përgjigje konkrete. Ju na ofroni deklarata vetëlavdëruese”, ka shkruar nënkryetarja e Kuvendit.
“Pavarësia nuk ju vendos mbi ligjin. Prejardhja ndërkombëtare e gjyqtarëve nuk është certifikatë pagabueshmërie”, ka shkruar Çitaku, duke kërkuar që Trendafilova të përballet me gazetarët dhe t'u përgjigjet pyetjeve të vështira.

