Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shkuar për vizitë te familja e Afrim Bunjakut pas vendimit që mori sot Gjykata Themelore në Prishtinë për sulmin terrorist në Banjskë ku dënoi me burgim të përjetshëm dy të akuzuarit, ndërsa të tretit i dha 30 vjet burgim.
Osmani në familjen Bunjaku tha se Kosova gjithmonë ka pasë djem si Afrim Bunjaku që i kanë dalë zot, ndërsa tha se territori i vendit duhet të ruhet.
“Sakrifica për këtë vend nuk ka mbaruar ende edhe mas shumë e shumë vitesh që ne u çliruam, prapë se prapë këtë liri po duhet më ruajt, territorin tonë po duhet me ruajt, shtetin tonë po duhet me ruajt, e lum Kosova që ka e ka pasë djem si Afrim Bunjaku që i kanë dalë zot gjithmonë dhe është gjaku i tij, sakrifica e tij dhe e juaj si familje”. “Fatkeqësisht e kemi një kojshi që me shekuj na ka nxjerrë problem”, vazhdoi Osmani, duke iu drejtuar të pranishmeve.
