Gjatë shqyrtimit në parim të Projektligjit për ndarjet buxhetore të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2027, anëtari i Komisionit nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka adresuar një seri kritikash dhe pyetjesh ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, duke vënë në pikëpyetje orientimin strategjik të buxhetit dhe përputhjen e tij me premtimet e Qeverisë.
Hoti tha se buxheti nuk duhet të shihet vetëm si dokument financiar, por si një instrument strategjik që përcakton drejtimin e zhvillimit ekonomik të vendit.
“Buxheti nuk është një plan kontabël, është një dokument strategjik. Edhe unë jam munduar me e pa atë pjesën e analizës tekstuale që është në fund të këtij dokumenti të madh, me pa sesa në aspektin strategjik qeveria e ka planifikuar këtë dokument të buxhetit për vitin 2027 edhe vitet e ardhshme, sepse rreth një e treta e të ardhurave kombëtare qeveria jua merr qytetarëve dhe bizneseve. Rreth 32% është vitin e ardhshëm. Pra është një e treta e të ardhurave kombëtare që e marrim, e merr shteti edhe e investon, e shpenzon në forma të ndryshme që është pak kryesisht përmes buxhetit ne i japim drejtim, ekonomik ose duhet t’i japim drejtim ekonomisë, sepse një e treta e rrjedhës së aktiviteteve ekonomike ne e marrim, e fusim në shtet”, deklaroi Hoti.
Ai theksoi se këto mjete duhet të kthehen në ekonomi përmes shpenzimeve që prodhojnë efekte konkrete, duke paralajmëruar se përndryshe një pjesë e madhe e aktivitetit ekonomik mund të kanalizohet në shpenzime joproduktive.
“Dhe ne duhet ta nxjerrim prapë në rrjedhë, në mënyrë që të rriten të ardhurat, mos ta shmangim një e treta e krejt aktiviteteve ekonomike edhe mandej çojmë në aktivitete që edhe në shpenzime që nuk prodhojnë ndonjë efekt”, u shpreh ai.
Duke folur për ndarjen e buxhetit në shpenzime korente dhe kapitale, Hoti tha se Qeveria duhet të ketë një qasje më të qartë ndaj pagave, pensioneve, asistencës sociale dhe shpenzimeve për mallra e shërbime.
“Dy ndarjet kryesore të buxhetit janë këto: shpenzimet korente edhe shpenzimet kapitale. Çka bëjmë me shpenzimet korente? Tek pagat, tek pensionet edhe tek mallrat. Për cilin duhet të jetë fokusi? E para është në ruajtjen e fuqisë blerëse, edhe tek pagat, në veçanti tek pensionet, asistenca sociale dhe skemat e ndryshme. Unë nuk shoh në këtë buxhet, në pjesën tekstuale edhe mandej të reflektuar në tabela, se si shpërndarja e pagave, e pensioneve, asistencë sociale dhe skemave të ndryshme e ka pasur për fokus ruajtjen e fuqisë blerëse”, tha Hoti.
Ai ngriti gjithashtu çështjen e shpenzimeve për mallra dhe shërbime, duke kërkuar të dihet se si këto mjete do të ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
“Tek shpenzimet për mallra, si sigurohemi ne që të rrisim cilësinë e jetës? Në mallra që blen prej barnave e materialeve në arsim, e materialeve brenda institucioneve, institucioneve të tjera”, deklaroi ai.
Një pjesë të kritikave Hoti ia kushtoi sektorit të shëndetësisë, duke kërkuar më shumë qartësi për sigurimet shëndetësore dhe barrën financiare që qytetarët vazhdojnë ta përballojnë nga xhepi i tyre.
“Edhe mandej shpenzimet sektoriale, çka po duam me bë me shëndetësi? Mund të flasim për shifra të mëdha, po realiteti është krejt tjetër dhe unë do t’i tregoj po çka duam me bë me këto sigurimet shëndetësore? Çka duam me bë me u siguruar që njerëzit nuk shpenzojnë 40% të shpenzimeve shëndetësore totale që qytetarët i paguajnë prej xhepit vetë? Ne kot mund të themi që në spitalet tona publike shëndetësia është falas, por 40% e shpenzimeve që i kanë mesatarisht secila familje për shëndetësi i paguajnë vetë”, tha Hoti.
Hoti ngriti pikëpyetje edhe për planifikimin e investimeve në infrastrukturë, duke kritikuar Qeverinë për mosrealizimin e projekteve të mëdha rrugore dhe mungesën e një koncepti të qartë për hekurudhat.
“Ose cili është, cili është plani strategjik i juaj në infrastrukturë? Ne nuk mund të vazhdojmë një dekadë të tan, një dy-tre vjet në qeveritë paraprake dhe gjashtë vjet në qeverinë tuaj, asnjë rrugë prej arterieve kryesore nuk është përfunduar. Nuk po hy te projektet individuale. Po cili është koncepti te infrastruktura? Kur do me i përfundu këto rrugë? Cili është koncepti juaj për hekurudha tash? Çka po bëhet me atë hekurudhën për Durrës? Pra cili është komplet buxheti për investime që janë në pjesën e infrastrukturës?”, pyeti Hoti.
Ai u ndal edhe te sektori i energjisë, duke thënë se vendit i mungon një plan konkret për rritjen e kapaciteteve prodhuese.
“Çka duhet me bë me energji? Shihni po hyjmë dimrin dhe ne tash prapë përballemi me reduktime elementare të energjisë elektrike. Dhe nuk ka koncept, nuk ka koncept fare se si do t’i rrisim kapacitetet energjetike në të ardhmen. Pra ky është planifikimi strategjik që duhet të ndodhë në buxhet”, deklaroi ai.
Hoti tha se këto janë çështje që, sipas tij, duhet të trajtohen në dokumentin buxhetor dhe të shoqërohen me objektiva të matshme për vitet e ardhshme.
Më pas, Hoti e krahasoi dokumentin e buxhetit me zotimet e dhëna nga Qeveria gjatë prezantimit të programit qeverisës në Kuvend, më 13 shtator 2026.
Ai theksoi se buxheti përfshin periudhën 2027-2029 dhe se, rrjedhimisht, një pjesë e madhe e mandatit qeverisës duhet të jetë e reflektuar në të.

