Të dashur bashkëqytetarë të Komunës së Deçanit, vëllezër e motra të vendlindjes time të shtrenjtë, dhe ju guximtarë, mbështetës e përkrahës të paepur të Partisë Guxo në Deçan!
Zgjedhjet lokale në Kosovë, siç e dimë të gjithë, po afrohen (12 tetor 2025), dhe unë, si themeluese e Partisë Guxo – dega në Deçan, së bashku me shumë guximtarë, njerëz të mirë, të ndershëm, intelektualë, profesionistë dhe punëtorë të palodhur e dinjitozë të këtij vendi, dhe si Kryetare e kësaj dege, dua t’ju informoj ju dhe opinionin e gjerë se:
Partia Guxo në Deçan në këto zgjedhje lokale do të hyjë PA KOALICIONE, si Parti e vetme, me Listën tonë të kandidatëve për këshilltarë të Kuvendit Komunal, si dhe me KANDIDATIN/EN tonë për KRYETAR/E të Komunës së Deçanit, po nga radhët tona!
Si Kryetare e Partisë Guxo për Deçanin, shfrytëzoj rastin që përmes këtij shkrimi të shpreh edhe mirënjohjen time të thellë dhe falënderimin tim të pafund për besimin dhe nderin që më është bërë me kërkesën dhe mbështetjen e pakusht nga të dy bashkëkryetarët tanë të Partisë Guxo – znj. Donika Gërvalla – zv. Kryeministre dhe Ministre në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe deputete dhe z. Faton Peci – Ministër në detyrë i Bujqësisë dhe deputet, njëherësh edhe kandidat për Kryetar të qytetit heroik të Mitrovicës;
Po ashtu falënderoj të gjithë deputetët e Partisë Guxo, Kryesinë Qendrore, Kryesinë e degës në Deçan dhe të gjithë anëtarët e mbështetësit tanë që kanë kërkuar dhe kanë shprehur mbështetjen e plotë që të jemë kandidate për Kryetare nga radhët e Partisë Guxo.
Si Kryetare e Partisë Guxo – dega në Deçan, kërkesën për kandidaturën time e kam parë si vlerësim maksimal e me shumë besim në mua, e njëkohësisht edhe respekt e nder timin jetësor, e që për këtë kandidaturë, duke marrë parasysh rrethanat e mia private dhe shumë objektive, edhe e kam trajtuar me shumë seriozitet.
Por, ajo që tashmë është shumë e qartë, e vendosur dhe një e vërtetë e madhe, është fakti se nëse jo me mua, Partia Guxo në Deçan padiskutim do të hyjë me një figurë shumë, shumë të ndershme të qytetit tonë si kandidat për Kryetar, një figurë me vlera të larta morale, njerëzore, intelektuale e profesionale dhe me kontribute jetësore për të mirën e qytetarëve dhe të Republikës sonë të çmuar, kandidaturë kjo që do t’i bëjë nder jo vetëm Partisë tonë Guxo, por gjithë qytetarëve deçanas, pavarësisht bindjeve politike në qytetin tonë të dashur. Dhe kjo kandidaturë, shumë shpejtë do bëhet e ditur për opinionin në Deçan dhe më gjerë!
Ndërkohë që ende ndodhemi brenda afateve kohore ligjore, vendimi ynë përfundimtar për kandidatin/en për udhëheqjen e Komunës së Deçanit nga radhët tona do të bëhet zyrtarisht i njohur për të gjithë ju qytetarë të dashur e të çmuar brenda pak ditësh.
Të dashur vëllezër e motra isniqas e deçanas, dhe ju mbështetës të çmuar e të paepur për mua dhe Partinë Guxo në Deçan!
Përmes këtij shkrimi dua gjithashtu t’ju siguroj se:
Me shumë përkushtim, me vullnetin tim të çeliktë, me gatishmërinë time të plotë, me dije dhe me të gjitha mundësitë që kam, e mbi të gjitha me dashurinë time të thellë për qytetarët tanë, për qytetin tonë Deçanin dhe për Partinë Guxo, si krijesë politike jo vetëm shumë të çmuar për mua, por edhe si mishërim i shpirtit tim, do të jem në këtë garë zgjedhore me guxim dhe përkushtimin maksimal.