Gjykata Themelore e Prishtinë ia ka caktuar 30 ditë paraburgim ish-deputetit Gani Geci, i cili dyshohet për kanosjen e gazetarit Lirim Mehmetaj.
Kjo është konfirmu nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.
Në ndërkohë, Klan Kosova ka siguruar edhe kërkesën e plotë për caktimin e masës së sigurisë ndaj Gecit, e cila u aprovua nga Gjykata.
Çka thotë dosja e Prokurorisë?
Më 12.10.2026, në Stacionin Policor Qendra në Prishtinë, i dëmtuari Lirim Mehmetaj ka raportuar se më 11.10.2026, rreth orës 19:27, në zyrat e portalit “VOX Kosova", në Prishtinë, ishte kanosur nga i pandehuri Gani Geci, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me një postim të publikuar në Facebook për deputetin Fatos Geci.
Sipas deklaratës së të dëmtuarit, gjatë takimit, pasi ai kishte refuzuar ta largonte ose ndryshonte postimin, i pandehuri Gani Geci i është drejtuar me fjalët: “Nëse nuk e hek postimin ose nuk e ndryshon, kena me u vra", si dhe: "Pash një Zot, mos na merr në qafë, ndërro postimin se na duhet meu vra", me ç'rast thuhet se te i dëmtuari ka shkaktuar frikë dhe ndjenjë pasigurie për jetën dhe sigurinë e tij.
Ndërsa më datë 12.10.2016, derisa i dëmtuari ishte në emisionin "Debat Plus", në cilësinë e panelistit, i dyshuari Gani Geci kishte shkuar në afërsi të TV Dukagjinit, ku edhe kishte postuar video në rrjetin social Tik-Tok për t'i bërë me dije të dëmtuari se ndodhej aty dhe e kishte pritur për rreth dy orë që nga studio të dilte tani i dëmtuari.

Prokuroria tha se dyshimi i bazuar mbështetet në deklaratën e të dëmtuarit, mesazhet e shkëmbyera përmes Facebook Messenger, deklarimin e të pandehurit, si dhe publikimet e tij në rrjetet sociale pas ngjarjes.
"Këto prova, të vlerësuara në ndërlidhje me njëra-tjetrën, krijojnë dyshim të bazuar se i pandehuri, në kontekstin e presionit për ndryshimin e postimit, ka përdorur shprehjet e raportuara nga i dëmtuari. Verifikimi i mëtejshëm i rrethanave dhe vlerësimi përfundimtar i besueshmërisë së deklarimeve i takojnë procedurës penale", thuhet në dosjen e Prokurorisë, të siguruar nga Klan Kosova.







