Gjatë dëshmisë në Hagë, James Peter Covey duke folur për Hashim Thaçin tha se në gjykimin e tij ai nuk ka qenë një luftëtar dhe se nuk ka asnjë të dhënë që ai mund ta ketë shkrepur ndonjë plumb nga zemërimi.
Përpara kësaj, Covey tha se gjithmonë sa herë shkohet në një mision të ri, përballesh me pretendime për të zmadhuar një rol të njërit apo tjetrit.
Ai tha se është detyra e tyre si diplomatë për të kuptuar se kush e kishte autoritetin dhe influencën më të madhe.
Covey theksoi se në misionet e tyre janë ballafaquar me një numër kontraditash dhe si rrjedhojë foli edhe për rolin e Thaçit.
“Është një person që kishte përfunduar në mënyrë automatike në rolin e një Qeverie të Përkohshme, e që sa i përket mandatit të UNMIK-ut nuk kishte më vlerë. Në atë kohë ka qenë shumë i papërvojë në politikën e sigurimit të votës nga votuesit. Nuk ka patur përvojë ekzekutive dhe i cili shpeshherë ka përdorur retorikë të ashpër të cilën e kontestonte me mënyrën e butë të të folurit”, tha ai.
Po ashtu, dëshmitari theksoi që kanë vlerësuar se Thaçi po përpiqej që ta gjente rolin e duhur dhe se kishte ambicie të mëdha.
“Ne që në fillim kemi vlerësuar se ai po përpiqej që të gjente rolin e duhur. Kishte ambicie të mëdha. Ishte shumë e qartë që ishte shumë i zgjuar, por nuk kishte përvojë për këto çështje dhe po përpiqej që të orientohej në gjetjen e një roli për të siguruar ambiciet e tij…Gjykimi ynë ishte krejt i qartë që ky person që ndodhej pranë nesh nuk ishte luftëtar dhe nuk besoj që ka ndonjë të dhënë që ky njeri ka gjuajtur ndonjëherë ndonjë plumb si rezultat i mërzisë apo zemërimit”, u shpreh Covey, raporton “Betimi për Drejtësi“.
