Pas orëve të ankthit dhe thirrjeve për ndihmë, aktorja e njohur turke Demet Özdemir është evakuuar me sukses nga zona e përmbytur në Stamboll. Tashmë janë publikuar edhe pamjet që tregojnë momentet e shpëtimit të saj.
Reshjet e rrëmbyeshme që goditën Stambollin mbrëmjen e së mërkurës shkaktuan përmbytje të mëdha në zonën Ayazağa, ku ujërat depërtuan edhe në studiot televizive ku ndodhej aktorja.
Demet mbeti e bllokuar së bashku me shumë persona të tjerë, mes tyre edhe këngëtarin e njohur Murat Boz, i cili më herët kishte kërkuar publikisht ndërhyrjen e autoriteteve, duke treguar se situata ishte rënduar dhe se energjia elektrike ishte ndërprerë.
Pas një operacioni shpëtimi, ekipet e emergjencës arritën deri te objekti me gomone, duke organizuar evakuimin e personave të bllokuar.

