Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve A.Sh, T.Sh, R.S, M.S, L.G, N.D, B.K, D.T, B.B, M.D, M.I, dhe F.B për shkak të dyshimit të bazuar mirë se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoriteti zyrtar”, “Manipulimi me prova”, “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” dhe “Dhënie ryshfeti”.
Siç thuhet në njoftim bëhet e ditur se sipas aktakuzës e cila përmban 391 faqe të ngritur nga prokurori i çështjes përfshihen 12 persona të pandehur, të cilët përmes veprave penale të lartcekura, ju kanë mundësuar në mënyrë të kundërligjshme kandidatëve të auto shkollave të ndryshme pajisjen me patentë shoferë në Pejë.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri A.Sh., në cilësinë e Koordinatorit të Njësisë së Qendrës për Patentë Shoferë në Pejë, gjatë periudhës kohore nga viti 2021 e deri më 23.07.2024, dyshohet se nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, duke mos zbatuar Ligjin për Patentë Shofer dhe udhëzimet administrative përkatëse lidhur me organizimin dhe mbajtjen e provimeve për patentë shoferë. I njëjti dyshohet se ka planifikuar dhe organizuar mbajtjen e provimeve teorike edhe në data dhe rrethana të kundërligjshme, duke mundësuar testimin e kandidatëve të cilët nuk figuronin në listat zyrtare të kandidatëve dhe pa koordinim me strukturat përgjegjëse të Ministrisë kompetente”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se i pandehuri R.S. dyshohet se ka ndihmuar në realizimin e këtyre veprimeve të kundërligjshme, duke ndërmjetësuar dhe mundësuar dhënien e ryshfetit nga përfaqësues të auto-shkollave të ndryshme, në shuma që sipas aktakuzës variojnë nga 300 deri në 1,000 euro, me qëllim të kalimit të kandidatëve në testet teorike dhe praktike për pajisje me patentë shofer.
“Në aktakuzë përfshihet edhe dyshimi se të pandehurit A.Sh., T.Sh. dhe R.S., më 17 nëntor 2023, në zyrën e koordinatorit të Njësisë së Qendrës për Patentë Shoferë në Pejë, kanë vepruar në bashkëkryerje në kryerjen e veprës penale “Manipulimi me prova”. E pandehura T.Sh., në cilësinë e pyetëses së pjesës teorike, dyshohet se gjatë periudhës 2021 – 2024 nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare sipas dispozitave administrative për sigurimin e cilësisë dhe standardeve minimale për pyetësit teorik, duke u mundësuar kandidatëve kalimin e testit teorik përmes tregimit të përgjigjeve të sakta dhe lejimit të testimit edhe pa dokumentacion të kompletuar”.
Po ashtu në njoftim thuhet se veprime të ngjashme, sipas aktakuzës, dyshohet se janë kryer edhe nga e pandehura M.Sh., e cila në cilësinë e pyetëses së pjesës teorike, dyshohet se ka vepruar në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe për persona të tjerë.
