Presidentja Vjosa Osmani do të mbledhë në takim liderët e partive nga ora 13:00.
Osmani e paralajmëroi këtë takim gjatë konferencës për media që e mbajti në mëngjes pasi njoftoi se ka nxjerrë dekret për shpërndarjen e Kuvendit.
Ajo tha se sot do t’i ftojë përfaqësuesit e partive politike në një takim formal për të diskuruar për caktimin e datës së zgjedhjeve.
“Sot do të ftohen liderët e partive për datën e zgjedhjeve sepse siç e dini është obligim që të konsultohen paraprakisht dhe është pasojë e nevojshme menjëherë pas shpërndarjes së Kuvendit që të shpallen edhe zgjedhjet e reja. Por, paraprakisht duhet edhe një konsultim formal me partitë politike dhe menjëherë pas kësaj do të caktohet data”, tha Osmani në konferencë.
Osmani tha se nxori dekretin për shpërndarje të Kuvendit bazuar në Kushtetutë meqë deputetët e Kuvendit dje – që ishte afati i fundit – nuk arritën të zgjedhin presidentin e ri.
