Sot shënohen 27 vjet nga rënia e luftëtarit dhe Heroit të Kosovës, Agim Ramadani.
Në akademinë përkujtimore kushtuar tij, bashkëshortja, Shukrije Ramadani, ka ndarë për Klan Kosova një nga momentet më emocionale që kishte përjetuar me Ramadanin gjatë luftës.
Ajo ka treguar se një nga kujtimet më të forta lidhet me një telefonatë nga fronti, kur Ramadani i kishte hapur altoparlantin në momentin e bombardimeve të para të NATO-s më 24 mars 1999.
“Një nga momentet më emocionale ka qenë kur më ka thirrur Agimi nga fronti dhe e ka hapur altoparlantin. Kam dëgjuar bombardimet e para të NATO-s më 24 mars. Zëri i tij ishte jashtëzakonisht emocionues. Më tha, ‘Unë po e shoh lirinë. Dëgjoje si janë jehonat e lirisë, si është zëri i lirisë. I gjithë qielli është zbardhur nga forcat e NATO-s që po godasin’. Kurrë nuk e harroj atë moment”, ka rrëfyer ajo në një intervistë me gazetarin Kastriot Tahiri për emisionin “Info Magazine”.
