Delegacioni i organizatës Albanians for America (AFA), i përbërë nga Gino Mulliqi, Gëzim Rushiti dhe Janinë Memeti, zhvilloi një takim me të Ngarkuarën me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati. Gjatë takimit, palët riafirmuan partneritetin e fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara dhe theksuan rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.
Diskutimet u përqendruan në mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e investimeve amerikane në Kosovë, avancimin e sektorit të energjisë, përfshirë projektet e gazit natyror të lëngshëm (LNG), si dhe krijimin e vendeve të reja të punës përmes investimeve strategjike.
Përfaqësuesit e AFA-së theksuan se një Kosovë me institucione të fuqishme dhe qeverisje të qëndrueshme është thelbësore për forcimin e besimit të investitorëve, avancimin e zhvillimit ekonomik dhe thellimin e mëtejshëm të partneritetit me Shtetet e Bashkuara.
