Deputetja e LDK, Doarsa Kica Xhelili, ka reaguar ashpër ndaj asaj që ajo e quan sabotim të qëllimshëm të procedurave parlamentare nga një grup deputetësh brenda Kuvendit.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka denoncuar përçarjen e skajshme institucionale dhe ka ngritur alarmin për cenimin e rendit kushtetues.
“Në Kuvendin e Republikës së Kosovës janë dy grupe deputetësh”, thotë Kica. “Njëri grup INSISTON të votojë sipas Kushtetutës – për, kundër ose abstenim për Kryetar të Kuvendit. Grupi tjetër bllokon me çdo mjet – imponon komisione të fshehta jashtë çdo procedure ose ndërpret seanca pa rregull.”
Sipas saj, paradoksi qëndron në faktin që pas çdo seance, kërkesa për ndëshkim u drejtohet jo sabotuesve, por deputetëve që kërkojnë ligjshmëri.
Kica nuk i kurseu as akuzat ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke i cilësuar si hipokritë dhe duke cituar filozofin La Rochefoucauld: “Hipokrizia është nderimi që veset ia bëjnë virtytit.”