Komuna e Vitisë, Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale dhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Viti kanë dënuar ashpër dhunën fizike të ushtruar ndaj një infermiereje të këtij institucioni shëndetësor gjatë kryerjes së detyrës së saj.
Sipas reagimit zyrtar, infermierja me inicialet B.S. është sulmuar fizikisht gjatë orarit të punës, ndërsa institucionet komunale e kanë cilësuar këtë akt si të papranueshëm dhe si një sulm ndaj dinjitetit të punonjësve shëndetësorë, sigurisë në vendin e punës dhe vetë sistemit shëndetësor.
Reagimi:
INSTITUCIONET KOMUNALE NË VITI DËNOJNË ASHPËR DHUNËN FIZIKE NDAJ PUNËTORES SHËNDETËSORE NË QKMF-VITI
Komuna e Vitisë, Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (DSHMS) dhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Viti dënojnë ashpër aktin e dhunës fizike të ushtruar sot ndaj infermieres B.S., punëtore e QKMF-së në Viti, gjatë kryerjes së detyrës së saj profesionale.
Dhuna ndaj punonjësve shëndetësorë është e papranueshme dhe përbën një sulm ndaj dinjitetit të profesionistit, sigurisë në vendin e punës dhe vetë sistemit shëndetësor. Asnjë rrethanë nuk mund të arsyetojë përdorimin e dhunës ndaj atyre që çdo ditë janë në shërbim të shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve.
Edhe në rastet kur punëtori shëndetësor nuk është objektivi i drejtpërdrejtë i një konflikti apo ngjarjeje të ndodhur jashtë institucionit, çdo akt dhune që ndodh brenda institucioneve publike është e papranueshëm dhe e dënueshëm. Punonjësit shëndetësorë janë aty për të ofruar kujdes, ndihmë dhe mbështetje për qytetarët, e jo për t’u bërë objekt i dhunës.
Shprehim mbështetjen tonë të plotë për infermieren B.S. dhe për të gjithë stafin e QKMF-së, duke i uruar shërim të shpejtë dhe rikthim sa më të shpejtë në detyrë.
Njëkohësisht, kërkojmë nga organet kompetente që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për trajtimin e këtij rasti, në mënyrë që autorët e akteve të tilla të mbajnë përgjegjësi në përputhje me legjislacionin në fuqi.
U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë profesionistët shëndetësorë dhe të kontribuojnë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt, ku shërbimet shëndetësore ofrohen me profesionalizëm, qetësi dhe dinjitet.
Komuna e Vitisë, DSHMS dhe QKMF mbeten të përkushtuara në mbrojtjen e punonjësve shëndetësorë dhe nuk do të tolerojnë asnjë formë dhune, kërcënimi apo cenimi të integritetit të tyre gjatë ushtrimit të detyrës. Siguria e stafit shëndetësor është parakusht për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe të sigurta për të gjithë qytetarët.