Nënshkrimi i Aktit të Mbrojtjes nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka rikthyer Kosovën në fokusin e debatit politik në Uashington. Përfshirja e Kosovës në këtë dokument si dhe riafirmimi i njohjes reciproke si bazë për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë e kundërshtimi i ndarjeve territoriale mbi baza etnike, janë interpretuar si sinjal pozitiv për vijimësinë e mbështetjes amerikane.
Megjithatë, sipas ekspertit amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, kjo gjuhë duhet lexuar me shumë kujdes.
Sipas Serwerit, përfshirja e këtyre formulimeve nuk është domosdoshmërisht shprehje e një konsensusi të fortë politik në SHBA, por më tepër një reagim ndaj përpjekjeve intensive të lobistëve që synojnë ndryshimin e politikës tradicionale amerikane ndaj Kosovës.
“Ndërsa më pëlqen gjuha që Kongresi ka miratuar, do të ishte gabim të interpretohej ajo si një shenjë pa mëdyshje pozitive. Arsyeja pse kjo gjuhë është përfshirë është se lobistët po punojnë intensivisht për të përmbysur politikën tradicionale të SHBA-së, e cila favorizon sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe njohjen e ndërsjellë me Serbinë. Kjo është një përpjekje për t’i bllokuar lobistët dhe do të funksionojë deri në një pikë. Por Presidenti ka autoritet pothuajse 100 për qind në politikën e jashtme dhe Trump i konsideron të bezdisshme kufizimet e tilla. Nuk mund t’ju premtoj se ai do ta respektojë gjuhën e parashikuar në ligj”, ka thënë Serwer.
Ai ka vlerësuar se Kongresi ka tentuar të vendosë një lloj “frenimi” ndaj ideve që bien ndesh me parimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, por ka paralajmëruar se kjo mbrojtje është e kufizuar.
Sa i përket dialogut Kosovë–Serbi, Serwer ka thënë se Kosova duhet të vazhdojë ta ketë si objektiv kryesor njohjen reciproke, por ai ka shprehur skepticizëm se ky ligj e bën këtë qëllim më të arritshëm sesa më parë.
Edhe në lidhje me perspektivën euroatlantike, Serwer është shprehur i rezervuar. Ai ka vënë në dukje se administrata Trump ka treguar qëndrim armiqësor ndaj Bashkimit Evropian dhe nuk ka qenë përkrahëse e zgjerimit të NATO-s, çka e bën të paqartë mbështetjen reale për anëtarësimin e Kosovës në këto struktura.
