Wolfgang Petritsch, ish-i dërguari i posaçëm i BE-së për Kosovën gjatë luftës, ka folur për rolin e Hashim Thaçit në UÇK dhe për përvojën e tij nga negociatat e viteve 1998-1999, pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Në një intervistë për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Petritsch, i cili ishte ndër diplomatët perëndimorë që e njihnin nga afër Thaçin gjatë luftës në Kosovë, është ndalur në çështjen e zinxhirit komandues të UÇK-së, marrëdhëniet e Thaçit me komandantët lokalë dhe negociatat për përfundimin e luftës.
Duke folur për aktgjykimin, Petritsch tha se një prej pyetjeve kryesore gjatë gjithë procesit gjyqësor ishte nëse UÇK-ja kishte pasur një zinxhir funksional komandues.
Sipas tij, prokuroria pretendonte se një strukturë e tillë ekzistonte dhe se Thaçi, si udhëheqës politik i UÇK-së, mbante përgjegjësi përfundimtare për krimet e pretenduara, ndërsa mbrojtja kishte argumentuar se UÇK-ja ishte një organizatë e decentralizuar, me raporte të ndryshme të pushtetit nga një rajon në tjetrin.
“Paraqitja e mbrojtjes me sa duket nuk i bindi gjyqtarët. Do të shohim nëse kjo do të qëndrojë edhe në procesin e apelit”, tha Petritsch.
Ai kujtoi edhe takimet dhe negociatat me Thaçin gjatë periudhës së luftës, duke e përshkruar atë si një politikan shumë të ri, por me aftësi politike.
“Ishte shumë i ri, as 30 vjeç nuk i kishte mbushur. Në krahasim me presidentin jugosllav Slobodan Millosheviq, një politikan i regjur e me përvojë të thellë, ky ishte natyrisht një ndryshim i madh”, tha Petritsch.
Megjithatë, sipas tij, ndërmjetësuesit perëndimorë e kuptuan shpejt se Thaçi kishte aftësitë politike të nevojshme për të udhëhequr delegacionin kosovar.
“Pavarësisht moshës së re, Thaçi kishte inteligjencën politike që i nevojitej situatës së asaj kohe”, u shpreh ai.
Petritsch veçoi edhe faktin se Thaçi fliste gjermanisht, gjë që, sipas tij, i mundësoi një komunikim më të drejtpërdrejtë me të gjatë negociatave.
Duke folur për akuzat ndaj Thaçit për krime lufte, Petritsch tha se në vitin 1999 nuk kishte dëgjuar për krimet që më vonë do t’i viheshin në barrë ish-presidentit të Kosovës dhe bashkëluftëtarëve të tij.
“Në atë kohë nuk kisha dëgjuar asgjë lidhur me këtë”, tha ai, duke kujtuar se në atë periudhë forcat serbe të sigurisë po kryenin krime ndaj popullatës civile në Kosovë.
Petritsch tregoi gjithashtu për përpjekjet e tij dhe të diplomatëve perëndimorë për ta përfshirë UÇK-në në procesin politik dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës.
Ai kujtoi veçanërisht negociatat në Rambouillet, ku bashkë me ministrin e Jashtëm gjerman të asaj kohe, Joschka Fischer, i kishin bërë presion Thaçit që të pranonte propozimet perëndimore.
Sipas Petritschit, në këmbim të tërheqjes së forcave serbe nga Kosova, UÇK-ja duhej të pranonte shpërbërjen dhe çarmatimin.
Në këtë moment, diplomati austriak tha se kishte krijuar përshtypjen se Thaçi ishte “i ngrirë nga frika”.




