Një operacion hetimor kundër lojërave të fatit është duke u zhvilluar në Rajonin e Prizrenit, nën udhëheqjen e Prokurorisë Themelore në Prizren.
Në kuadër të këtij operacioni, disa persona janë arrestuar dhe aktualisht janë duke u intervistuar nga organet e rendit.
Lajmin e ka konfirmuar Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë për Rajonin e Prizrenit.
“Disa persona janë arrestuar, tani janë duke u intervistuar. Pas intervistimit, prokurorët kompetentë do të vendosin për secilin rast veç e veç”, ka deklaruar Bytyqi.
Ai ka bërë të ditur se hetimet po zhvillohen nga Sektori Rajonal i Hetimeve, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, me mbështetjen dhe ndihmën e stacioneve policore dhe njësive të tjera policore të këtij rajoni.
Informacione të tjera lidhur me operacionin pritet të bëhen të ditura pas përfundimit të veprimeve hetimore dhe në koordinim me Prokurorinë kompetente