Sipas komunikatës zyrtare të Doganës, ky rezultat është dëshmi e qartë e përmirësimeve strukturore dhe efikasitetit në menaxhim, përkundër faktit se “politikat fiskale efektivisht në norma tatimesh janë ulur ndjeshëm”.
“Pas pandemisë, Dogana e Kosovës ka arritur që rritja në mbledhjen e të hyrave të tejkalojë ritmin e rritjes ekonomike mbi dyfishin e vlerës”, thuhet në komunikatë, duke theksuar edhe ndërhyrjet e suksesshme në ekonominë informale.
Një element tjetër i rëndësishëm është angazhimi i vazhdueshëm institucional për luftimin e ekonomisë joformale dhe forcimin e sundimit të ligjit. Sipas Doganës, kontributi në zonat më sfiduese, si Mitrovica Veriore, dhe pezullimi i disa veprimtarive të dyshuara në sektorin e derivateve, ka ndikuar dukshëm në rezultatet e arritura.
“Këto rezultate janë fryt i efikasitetit në performancë, masave konkrete për lehtësimin e tregtisë, si dhe një përkushtimi të vazhdueshëm në modernizimin dhe digjitalizimin e proceseve,” thekson më tej Dogana.