Prokuroria Speciale ka ka ngritur aktakuzë kundër Fatmir Shehollit, duke e akuzuar atë në vazhdimësi për veprat penale “Spiunazhi” dhe “Shantazhi”.
Dosja voluminoze e Prokurorisë Speciale, të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi, zbardh hollësisht rrjetin e bashkëpunimit të Shehollit me Shërbimin Informativ të Serbisë (BIA), kontaktet direkte me zyrtarë të lartë serbë, si dhe shumat monetare që dyshohet se ka marrë për të dëmtuar interesat e shtetit të Kosovës.
Sipas aktakuzës, Fatmir Sheholli ka vepruar si person i rekrutuar nga BIA serbe, ku në vazhdimësi ka zbatuar urdhrat dhe detyrat e marra nga Bojan Dimiç, drejtor i Drejtorisë Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar në BIA. Informacioni mbi pozitën e Dimiçit është konfirmuar zyrtarisht edhe nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) më 9 tetor 2025.
Nga këqyrja dhe ekzaminimi i telefonit të tij celular (Apple iPhone), hetuesit kanë zbuluar komunikime të gjera me zyrtarin e BIA-s përmes aplikacioneve si Viber, WhatsApp e Skype. Për t’i shmangur organet e ndjekjes, Sheholli e kishte regjistruar numrin e Bojan Dimiçit me emra të rremë si “Gizi”, “Gazetari”, “Bojana”, “Bojan Mitic” apo “Lista sërbe”.
Në aplikacionin Viber, ky numër figuronte me emrin “BoJaN” i shoqëruar me tre flamuj të Serbisë.
Në një nga komunikimet e pranishme në dosje (të datës 7 shkurt 2024), Dimiç e njoftonte Shehollin mbi të dhëna për pjesëtarë të ish-UÇK-së:
“Për babain e Nuredinit, ish pjesëtarin e UÇK-së, ka diçka të imët por e parëndësishme”, thuhej në bisedë.
Përveç Dimiçit, nga analizimi i mesazheve është vërtetuar se Sheholli ka mbajtur kontakte të vazhdueshme edhe me zyrtarë të tjerë të BIA-s serbe.
Hetimet e Prokurorisë Speciale, të mbështetura nga masat e veçanta të përgjimit dhe vëzhgimit fshehtë, zbulojnë detaje të zbatimit të një plani operativ për ndërhyrje në zgjedhjet lokale të Kosovës.
Më 26 shtator 2025, pasi marrjes së mesazhit të koduar nga Bojan Dimiç “turshitë tuaja janë gati” (“tursija ti je gotova”), Sheholli ka udhëtuar drejt Mitrovicës së Veriut i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.




