Në orët e hershme të mëngjesit të së martës, Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe autoritete policore evropiane, bëri pesë arrestime në një aksion të shpërndarë në pesë qytete kosovare.
Siç bën të ditur REL nga burimet e veta, aksioni filloi në përndjekje të një grupi të dyshuar për trafikim të drogës dhe shpëlarje të parave.
I quajtur “White Star” (Ylli i bardhë), operacioni pati si provë kryesore të dhënat e siguruara nga platforma Sky ECC, komunikimet në të cilën u dekriptuan nga autoritetet evropiane në vitin 2021.
Çfarë është Sky ECC?
Sipas Europolit – agjenci e zbatimit të ligjit e Bashkimit Evropian – Sky ECC ishte një platformë e komunikimit kriminal me pagesë, e zhvilluar nga kompania kanadeze, Sky Global.
Platforma ofronte një sërë funksionesh, përfshirë fshehtësinë e shkëmbimit të informacionit (mesazhe, fotografi ose mesazhe zanore) dhe anonimitetin e përdoruesve.
“Përveç kësaj, ajo ofronte: zbulimin e manipulimeve, fshirjen në distancë, si dhe masa të paprecedente sigurie për mbrojtjen e pajisjes, si funksioni i panikut [që u mundësonte përdoruesve të fshinin përmbajtjen e pajisjes me shtypjen e një butoni] dhe një ndërfaqe të aplikacionit që mund të fshihej lehtësisht”, thuhet në të dhënat e Europolit.
Sky ECC u mbyll zyrtarisht në marsin e vitit 2021, por qindra miliona mesazhe të enkriptuara mbeten ende të disponueshme. Këto mesazhe përmbajnë të dhëna të vlefshme për strukturën, funksionimin dhe lidhjet ndërkombëtare të rrjeteve kriminale, dhe vazhdojnë të mbështesin hetimet në mbarë BE-në.
Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, të cilën e ka parë Radio Evropa e Lirë, të dyshuarit që nga fillimi i vitit 2019 kanë marrë pjesë në veprimtarinë e një grupi të organizuar kriminal, që merrej me “blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve”.
Në dokumentin e Prokurorisë thuhet se grupi dyshohet se trafikonte kokainë nga shtetet e Amerikës së Jugut; heroinë nga Irani, Afganistani dhe Turqia; si dhe marihuanë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Spanja.
“Në Kosovë, pjesëtarët e këtij grupi kriminal e bëjnë përzierjen e narkotikut me sodë bikarbonat dhe përzierës të tjerë me qëllim të shtimit të peshës, më pas të njëjtën e paketojnë me anë të një makine me presion dhe narkotikun e vendosin duke e kamufluar nëpër produkte të ndryshme”, thuhet në dokumentin e Prokurorisë.
Sipas Prokurorisë, droga transportohej më pas përmes kompanive transportuese drejt Serbisë, Bosnje e Hercegovinës, Kroacisë, Gjermanisë, Zvicrës, dhe vendeve të tjera të Bashkimit Evropian.
Përveç trafikimit të narkotikëve, pesë të arrestuarit dyshohen edhe për pastrim parash.
Sipas Prokurorisë, ata dyshohet se “fitimet e siguruara nga aktiviteti kriminal i transferonin në biznese të ndryshme, të themeluara nga vetë të dyshuarit ose persona të afërt me ta”.
Një pjesë e mjeteve, sipas dokumentit, konvertohej në prona të luajtshme dhe të paluajtshme, përfshirë tokë, shtëpi, banesa dhe vetura.
