Ai nuk foli vetëm për përjetimet e asaj nate kur mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, por edhe për atë që e quan plagën më të thellë, dhimbjen e familjes së kolegut të tij të ndjerë.
“Fëmijët e rreshterit, me siguri e përjetojnë rëndë mungesën e prindit. Por ata tashmë janë rritur dhe e kuptojnë, edhe pse me dhimbje të madhe dhe mërzi të madhe. Në vazhdim ata do të mburren dhe të jenë krenarë për babanë e tyre dhe veprën e tij që ka bërë. Lavdi e përhershme rreshterit Afrim Bunjaku, tani hero i Kosovës”, tha ai.
Dushi, dëshmitari i dytë në këtë proces, përshkroi në detaje natën e 24 shtatorit 2023, kur Policia e Kosovës ra në pritën e një grupi të armatosur serb, të cilët, sipas dëshmitarëve, ishin të trajnuar nga struktura paraushtarake të Serbisë.
Sipas tij, gjithçka nisi rreth orës 02:35 të mëngjesit, kur kishin marrë urdhër nga rreshteri Afrim Bunjaku që të përgatiteshin dhe të shkonin në drejtim të fshatit Banjskë. U njoftuan se ura hyrëse për në fshat ishte bllokuar nga dy kamionë.
“Jemi nisur me dy automjete. Rrugës për në fshatin Banjskë, para se të arrinim te vendi i ngjarjes, kemi ndaluar një veturë të dyshimtë që po lëvizte ngadalë. E kemi kontrolluar, personi nuk kërkohej, por kemi gjetur një antenë të radiolidhjes Motorola”, tha ai.
Më pas, kishin vazhduar në drejtim të urës në fshat dhe kishin vërejtur ndriçim të fortë. Në ato momente, rreshteri kishte urdhëruar shpërndarjen për të evituar ndonjë sulm të mundshëm.
“Edhe pa u pozicionuar mirë ka shpërthyer një detonim i fuqishëm. Nga ai detonim më duket se jam ngritur nga toka. Më pas kanë filluar të shtënat e pandërprera, me armë të kalibrave të ndryshëm. Kishim të bëjmë me një sulm të përgatitur mirë, nga shumë pozicione”, tha ai.
Ai tha se në terren kishin vërejtur agresorë me uniforma që ngjanin me ato ushtarake, disa të maskuar, të cilët shtinin nga drejtime të ndryshme, përfshirë nga afërsia e manastirit, shkolla dhe kodrat përreth.
