Senatorët amerikanë Dick Durbin dhe Jeanne Shaheen do ta vizitojnë Kosovën në kuadër të një turneu në Ballkanin Perëndimor, gjatë të cilit po diskutojnë për sigurinë rajonale, institucionet demokratike, zhvillimin ekonomik dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Durbin, zëvendëskryetar i grupit demokrat në Senatin amerikan, dhe Shaheen, anëtarja demokrate e rangut më të lartë në Komitetin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, kanë përfunduar vizitën në Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa në kuadër të këtij turneu do të vizitojnë edhe Shqipërinë, Malin e Zi, Kroacinë dhe Kosovën.
Kjo do të jetë vizita e fundit e Durbin në kuadër të një delegacioni kongresional si senator amerikan. Ai e kishte vizituar Ballkanin edhe në vitet 1999 dhe 2009.
Gjatë qëndrimit në vendet e rajonit, senatorët do të takohen me zyrtarë qeveritarë, përfaqësues diplomatikë amerikanë, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe liderë të rinj.
Sipas njoftimit, në fokus të takimeve do të jenë proceset e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, bashkëpunimi me NATO-n, diversifikimi i burimeve të energjisë dhe zbatimi i Aktit për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor, të miratuar si pjesë e Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare për vitin fiskal 2026.
