Dy shtetas kosovarë nga Vushtrria janë arrestuar në pikën kufitare të Morinës në Shqipëri, pasi ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjermania për vjedhje me dhunë dhe dëmtim prone.
Të arrestuarit, G. M., 22 vjeç dhe F. B., 24 vjeç, ishin në kërkim nga Interpol Wiesbaden, pasi Gjykata e Erfurtit në Gjermani, më 1 qershor 2026, i kishte dënuar me nga 15 vjet burgim secilin.
Arrestimi i tyre u bë nga shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në kuadër të operacionit “Wanted”, me qëllim ekstradimin drejt Gjermanisë.
Sipas njoftimit të Policisë së Shqipërisë, dy kosovarët janë dënuar për veprat penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim” dhe “Dëmtim prone”.
Ndërkohë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Wiesbaden, po vijon procedurat për ekstradimin e tyre drejt Gjermanisë