Policia e Kosovës ka arrestuar një person i cili dyshohet se përmes profilit të tij në rrjetin social, Facebook ka postuar përmbajtje kërcënuese mbi Kuvendin e Kosovës, ka mësuar Radiotelevizioni i Kosovës.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, i dyshuari është arrestuar për veprën "Kanosje" me datë 10 shtator në ora 19:15.
Ndërkaq, siç raporton RTK, i njëjti figuron i dyshuar në gjithsej 31 raste kriminale të evidentuara gjatë periudhës 2000–2023.
Ai dyshohet për vepra të ndryshme penale si vrasja në tentativë, sulmi, kanosja, posedimi dhe përdorimi ilegal i armëve.





