Një person është arrestuar në Rahovec, nën dyshimin se në disa raste ka kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarë të bizneseve, në këmbim të shmangies së kontrolleve apo ndëshkimeve të parapara me ligj.
Rasti është hetuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjakovë, në bashkëpunim me njësi të tjera të Policisë së Kosovës dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë.
Sipas hetimeve, i dyshuari dyshohet se ka pranuar shuma prej 300 deri në 500 euro, në disa raste të ndara dhe nga persona të ndryshëm.
Policia ka bërë të ditur se, bazuar në veprimet hetimore, i dyshuari dyshohet për veprën penale “Marrja e ryshfetit”, sipas nenit 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.



