Një zyrtar policor është arrestuar të mërkurën në Gjilan nga hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës, nën dyshimin se ka kryer veprat penale “sulm”, “lëndim i lehtë trupor” dhe “kanosje”.
Sipas IPK-së, rasti ka ndodhur më 13 gusht 2026, në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Gjilan, ku zyrtari policor, i cili në atë kohë ishte jashtë detyrës zyrtare, dyshohet se është përfshirë në një mosmarrëveshje me disa të rinj.
“Hetuesit e IPK-së disa ditë më herët janë njoftuar përmes një ankese në zyrën rajonale të IPK-së në Gjilan lidhur me dyshimet se ky zyrtar policor, sa ishte jashtë detyrës zyrtare, kishte kryer veprime të kundërligjshme”, thuhet në komunikatën e Inspektoratit.
Pas pranimit të ankesës, IPK-ja, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e rastit.




