Policia e Tiranës ka dalë me njoftim zyrtar në lidhje me dhunimin e Eduard Kuçit nga Jozefin Marku dhe disa persona të tjerë.
Ndaj këngëtarit rëndojnë 5 vepra penale, ndërsa ky i fundit është shoqëruar sot në polici për të dhënë sqarime në lidhje me rastin.
“Si rezultat i veprimeve të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, u ndaluan shtetasit J. M., 30 vjeç, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”, si dhe K. N., 31 vjeç, i cili dyshohet se ka qenë drejtues i automjetit tip “Land Rover”, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, bombave ose minave dhe i municionit”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja në jetën private”. Ndërkohë, u shpallën në kërkim shtetasit A. H., 48 vjeç dhe K. V., 27 vjeç”, sqaron policia.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit K. N., u gjetën dhe u sekuestruan një sasi municioni, si dhe automjeti tip “Land Rover”, i dyshuar se është përdorur në ngjarje.




