Mësimi tërëditor në shkollat e Komunës së Prishtinës pritet të zgjerohet edhe gjatë këtij viti shkollor, ndërsa Drejtoria e Arsimit është në pritje të vlerësimeve nga shkollat për të përcaktuar numrin e institucioneve të reja që do t’i bashkohen këtij modeli.
Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, në një intervistë për Ekonomia Online thotë se përvoja e deritanishme ka treguar se prindërit dhe mësimdhënësit në përgjithësi janë të kënaqur, ndonëse mbeten sfida që lidhen me hapësirat, organizimin e aktiviteteve dhe infrastrukturën.
“Për mësimin tërëditor ka raporte të ndryshme që jemi duke i pranuar. Një gjë është evidente, prindërit në njërë anë, një pjesë më e madhe e prindërve, janë të kënaqur me faktin që ofrohet mësimi tërëditor sot në komunën e Prishtinës. Por, në anën tjetër kemi edhe ankesa në raport me hapësirat, në raport me kurrikulën shkollore, në kuptimin edhe të pjesës jashtëkurrikulare që vendoset për nxënësit edhe tjetra që është barra, prapë e madhe, për mësimdhënësit. Pra, i ka disa komponentë që duhet të ndërhyhet patjetër edhe do të synoj që në këto shkolla ku është implementuar mësimi tërëditor të rregullohet edhe njëherë pjesa e komponentit të aktiviteteve jashtëkurrikulare. Dhe pjesa tjetër që mbetet është pjesa e hapësirave që kanë nevojë të ridefinohen, të kemi një ridestinim të disa hapësirave, të krijohen kuzhinat, mensat për secilën prej këtyre shkollave ku do të implementohet mësimi tërëditor. Edhe këtë vit do të zgjerohemi me një numër të shkollave që do t’i ofrojë komuna e Prishtinës për mësim tërëditor”, tha ai.
Elshani tha se aktualisht mësimi tërëditor zhvillohet në 12 shkolla, ndërsa gjatë javëve në vijim do të vendoset se sa shkolla tjera do i bashkangjiten kësaj mënyre të zhvillimit të mësimit.
“Aktualisht mbahet në 12 shkolla. Ne jemi duke e pritur një vlerësim që është duke u bërë prej secilës shkollë, prandaj për numrin e saktë besoj që brenda këtyre dy javëve, pra këtë javë ose javën e ardhshme do të konfirmohet zyrtarisht numri se sa do të procedojmë tutje për të pasur mësim tërëditor. Po e them, kjo do shumë investime, nuk është i lehtë organizimi i mësimit tërëditor, veçanërisht kur jemi të kufizuar me numra të rekrutimit të stafit të mësimdhënësve dhe në anën tjetër edhe pjesa e komponentës jashtëkurrikulare që nevojitet të përfshijë akterë të tjerë. Nevojiten artistë, nevojiten sportistë, nevojiten hapësira për të pasur mundësi me u organizuar kjo në secilën shkollë, sepse shkollat tona janë të ndërtuara për një sistem që ka qenë më herët, pra gjysmëorari, pa pasur nevojë të qëndrojnë më shumë se pesë orë në shkollë. Edhe kjo është sfiduese, sepse duhet korridoret aktuale që janë të rregullohen, oborret që janë aktualisht duhet të rregullohen, të iu jepet funksioni për të mundur të organizohet mësimi tërëditor”, tha ai.
