Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) njofton se e ka forcuar kapacitetin e tij për të kontribuar në situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovë para zgjedhjeve të ardhshme komunale, përmes dislokimit të pjesëtarëve të Forcës Evropiane të Xhandarmërisë (EUROGENDFOR), të cilët e përbëjnë Njësisë Policore të Specializuar Rezervë (NJPSR) të EULEX-it.
Sipas njoftimit, sot, shefi i Misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano, e udhëhoqi ceremoninë zyrtare, ku morën pjesë Ambasadorët e shteteve kontribuese në EUROGENDFOR, për t’i mirëpritur policët shumë të specializuar dhe të aftë të EUROGENDFOR-it, të siguruar nga pesë forcat pjesëmarrëse: Xhandarmëria Kombëtare e Francës, Karabinierët e Italisë, Xhandarmëria Mbretërore e Holandës, Xhandarmëria Ushtarake e Polonisë dhe Garda Kombëtare Republikane e Portugalisë.
“NJPSR-ja do ta dyfishojë aftësinë operacionale të Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it (NJPS), e cila sigurohet tërësisht nga Policia e Polonisë, për ta përmbushur mandatin e Misionit për të kontribuar në sigurinë e të gjitha komuniteteve, përfshirë këtu edhe rolin si reaguesi i dytë i sigurisë në Kosovë, nëse kjo kërkohet dhe është e nevojshme. Gjatë periudhës së dislokimit të tyre, NJPSR-ja do të kryejë patrullime të dukshme duke rritur vetëdijesimin e Misionit për situatën dhe duke siguruar ndërveprim të plotë me NJPS-në, si dhe me Policinë e Kosovës dhe misionin KFOR të udhëhequr nga NATO”, thuhet në njoftim.
