Eurodeputeti Rihards Kols ka kritikuar autoritetet shqiptare për reagimin e policisë ndaj protestuesve, duke thënë se studentët dhe të miturit po përballen me plumba gome, gaz lotsjellës dhe granata trullosëse, ndërsa gazetarët po sulmohen gjatë kryerjes së detyrës.
Në një reagim në platformën X, Kols ka thënë se Shqipëria paraqitet në Bruksel si aleate e besueshme e NATO-s dhe vend në krye të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por se veprimet e policisë në vend, sipas tij, bien ndesh me vlerat demokratike.
Ai ka theksuar se NATO-ja dhe BE-ja mbështeten në sundimin e ligjit dhe respektimin e qytetarëve.
Kols ka kundërshtuar gjithashtu pretendimet për ndërhyrje të huaja si shpjegim për zemërimin e të rinjve shqiptarë ndaj korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë. Ai ka kërkuar hetimin e çdo rasti të dhunës policore, duke theksuar se qytetarët shqiptarë duhet të kenë mundësinë të vendosin vetë për të ardhmen e tyre.


