Më 24 korrik, gjykata vendosi një masë të përkohshme që ndalon deputetët të ndërmarrin hapa për konstituimin e Kuvendit deri më 8 gusht, kur kjo ndalesë skadon dhe pritet një vendim i ri.
Partia Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti, me prirje të majta, fitoi 48 ulëse në zgjedhjet e muajit shkurt, por nuk arriti të sigurojë shumicën në Kuvendin me 120 vende.
Që nga seanca konstituive më 15 prill, janë zhvilluar dhjetëra raunde votimesh pa sukses. Kryeministri në detyrë dhe partia e tij ende po përpiqen të shmangin mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
“Sigurisht, nuk jemi të interesuar për zgjedhje të reja, nëse merret vendimi për të shkuar në zgjedhje të reja, atëherë do ta respektojmë këtë dhe do të ecim përpara me të. Gjykata Kushtetuese e sheh këtë si të vetmen mundësi për të dalë nga kjo situatë”, tha për Euronews Saranda Bogujevci, deputete e Vetëvendosjes.
Kriza qëndron te procedurat e votimit: Vetëvendosje propozon votim të fshehtë, ndërsa opozita kërkon votim të hapur, siç e parasheh Kushtetuta.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Presidentja Vjosa Osmani kanë kërkuar ndarazi interpretim nga Gjykata Kushtetuese, pasi vendimi i saj i 26 qershorit nuk arriti të zgjidhë ngërçin.
Sipas deputetit Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), zgjedhja e Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu si kryetare e Kuvendit është një tjetër pikë kyçe në përplasjen e ashpër mes Kurtit dhe opozitës.
Vetëvendosje propozoi votimin e fshehtë si mënyrë për të bindur disa deputetë opozitarë të votojnë për kandidatin e saj pa u përballur me ndëshkime nga partia e tyre.
