Të enjten paradite, në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, ka filluar punën një Komision i përbërë nga zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili do të vlerësojë fletëvotimet e zgjedhjeve të raundit të dytë për kryetar të komunës së Mitrovicës së Jugut.
Themelimi i këtij komisioni nga KQZ erdhi pasi gjatë procesit të verifikimit të rezultateve në Qendrën Komunale të Numërimit në këtë komunë janë hasur fletëvotime që kodi i tyre nuk përputhej me vendvotimin të cilit duhej t’i takonin.
Kjo situatë ka zgjuar dyshime dhe dilema të mëdha për integritetin e procesit zgjedhor në ditën e zgjedhjeve në këtë komunë, i cili u mbajt më 9 nëntor.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar, fillimin e punës së këtij komisioni.
“Mund t’iu konfirmoj se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar punën Komisioni i themeluar nga KQZ për vlerësimin e fletëvotimeve për zgjedhjet e raundit të dytë për Kryetar të komunës së Mitrovicës së Jugut dhe Gjakovës. Planifikohet që ky Komision, të përgatis një raport dhe të njëjtin ta dorëzojë jo më vonë se më 14 nëntor. Ndërkaq, për komunat tjera ky vlerësim do të bëhet sipas mostrës së caktuar dhe raporti do të finalizohet deri në fund të javës”, tha Elezi.
