Një deklaratë e ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca gjatë një tubimi të Vetëvendosjes me qytetarë në Ferizaj lidhur me flokëtaret, të njohura në popull si “frizeret”, ka irrituar disa nga ushtrueset e këtij profesioni.
Kjo, meqë Konjufca flet paksa me përqeshje për këtë profesion, ani se e pranon të jetë një ndër drejtimet e reja të mësimit dual në Kosovë.
Flokëtarja Ardiana Salihu – Uka thotë se fjala e përdorur është ofenduese.
“Nuk është e drejtë, jo vetëm profesioni jonë, po asnjë fjalë derogative nuk është e drejtë. Unë mendoj që, në çdo person që është profesionist, ai duhet me u sjellë në mënyrë profesionale gjatë kryerjes së punës së vet….Edhe po, përdorimi i këtyre termave derogativë nuk është profesionale, tingëllon shumë joprofesionale. Është vendi edhe koha kur përdoren shakatë, kur përdoren terma derogativë, kur përdoren fjalë ofenduese. Nuk mendoj që është në rregull të përdoren fjalë ofenduese“, tha Salihu – Uka.
E një parukiere tjetër, Naile Sheholli – Kokollari, pronare e studios së bukurisë “Te Shehollkat”, thotë se me këtë fjalor, ky profesion është injoruar e përqeshur.
“Më ka dukur se është shumë, domethënë, sikur e kanë injoruar këtë profesion, sikur e kanë përqeshur. Meqenëse, profesioni frizer është art, është punë, është dinjitet, është përkushtim. Edhe, nuk e di sesi do t’i kishte dukur ai panel ose një studio televizive po mos të ishin frizerët. E kështu që, nuk e besoj që është mirë, me u ofenduar si profesion”, tha Sheholli – Kokollari.
