Në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë është zhvilluar trajnimi “Train the Trainers”, me temë “E Drejta Ndërkombëtare Humanitare – International Humanitarian Law (IHL)”, i dedikuar instruktorëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Trajnimin e hapën gjeneral brigade Astrit Haliti dhe drejtori i NALT-it, gjeneral Thomas Schulte-Borghoff.
Trajnimi u organizua në bashkëpunim mes NALT-it dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK), me ligjërata dhe sesione praktike të udhëhequra nga përfaqësues të KNKK-së dhe NALT-it.
Gjatë trajnimit u trajtuan tema që lidhen me zbatimin e së drejtës ndërkombëtare humanitare në operacionet ushtarake, përfshirë planifikimin e operacioneve, sjelljen gjatë armiqësive, pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në luftime, operacionet urbane, përzgjedhjen e objektivave, teknologjitë e reja të luftës dhe përgjegjësitë komanduese.

