Partitë politike kanë vazhduar aktivitetet elektorale të premten, duke prezantuar programet dhe premtimet e tyre para zgjedhjeve të 7 qershorit.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në tubimin e mbajtur në Prizren u bëri thirrje qytetarëve për mobilizim, duke shprehur pritjen për një rezultat historik për subjektin që drejton.
“Më 7 qershor bëhuni pjesë e një rekordi të ri historik të fitores së lëvizjes sonë e tuaj, të fitores së Vetëvendosjes me partnerët e saj”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka theksuar investimet e realizuara gjatë mandatit qeverisës, duke thënë se qeverisja e tij nuk mund të krahasohet me ato paraprake.
Në Mitrovicë, kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka prezantuar programin qeverisës të partisë, duke premtuar rritje të pagave dhe pensioneve, si dhe mbështetje për bizneset.
“Kur të rritet buxheti, PDK-ja do t’i rrisë pagat prej 50% për të gjithë shërbyesit civilë. Do t’i rrisim pensionet për të gjithë në vlerë prej 50%. Në qeverisjen e PDK-së, nuk do të ketë pension më të vogël se 300 euro”, ka thënë Hamza.
Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur tubim në Prishtinë, ku kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se LDK-ja është rikthyer fuqishëm në skenën politike.
