Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht atyre të ardhura përmes postës.
Deri të dielën, më 14 qershor 2026, në orën 12:30, janë numëruar 39 kuti votimi, në të cilat janë vendosur zarfet me fletëvotime pasi janë aprovuar paraprakisht nga shërbimi votues i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Teksa kanë mbetur edhe rreth 150 kuti për t’u numëruar, situata sa i përket listave të deputetëve po shkon drejt qartësimit. Në legjislaturën e re pritet të ketë një numër të konsiderueshëm deputetësh të rinj, me pjesën më të madhe që do të vijnë nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje.
Ish-imami i Drenasit, Osman Musliu, tashmë e ka siguruar mandatin e deputetit, me rreth 30 mijë vota të fituara.
Për herë të parë në ulëset e Kuvendit pritet të ulet edhe Arton Konushevci, vëllai i dëshmorit Ilir Konushevci, i cili ka marrë mbi 27 mijë vota.
Mandatin e deputetit nga lista e LVV-së pritet ta sigurojnë edhe aktori Armend Baloku dhe aktivistja Krenare Çerkini, të cilët kanë marrë vota të mjaftueshme për t’u bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
