I mbijetuari dhe dëshmitari Halit Gashi ka kritikuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për rihapjen e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarit për krime lufte, Milorad Gjokoviq, duke thënë se procesi gjyqësor po zgjatet pa nevojë.
Gashi, pas vendimit për rihapjen e procesit, tha se ka dëshmuar për 1489 ditë dhe se gjykata ka vendosur ta shtyjë sërish procesin për marrjen në pyetje të një dëshmitari tjetër.
“1489 ditë gjykim që është mbajtë deri në ditën e sotit, gjykata edhe sot e kësaj dite e prolongon, e shtyn për me marrë në pyetje një dëshmitar tjetër që ka qenë shumë i saktë edhe ka qenë dëshmitar okular në vrasjen dhe masakrën e familjes Krasniqi që i ka bërë. Shkojmë, presim tash gjykata edhe sa kohë që shkon. Pra janë 1489 ditë që jam në këtë, në këtë punë, në këtë dëshmi që jam tu e dhënë”, tha ai.
Gashi tha se, sipas tij, dëshmitarja Nurije Krasniqi është marrë në pyetje tri herë lidhur me masakrën ndaj familjes Krasniqi, Morinës dhe Shalave.
“Shumë. Shumë të panevojshme. Është marrë në pyetje, tri herë është marrë Nurije Krasniqi për masakrën që i ka bërë familjes Krasniqi, Morinës, edhe të Shalave. Tri herë është marrë në pyetje. Herën e parë kur ka dëshmuar, këta nuk ishin të gatshëm për me bërë pyetje e kundërpyetje këta avokatët e të pandehurit, ndërsa të dytën dhe të tretën herë u mundojshin atje me gjetë picra aty. E sidomos fjala përfundimtare me 21, të martën e kaluar, krejt pikë, presë, fjalë, fjalitë ngushtë, të zgjeruara me çka ka bërë mbrojtësi i të pandehurit, të tanat pa vërteta! Krejt pa vërteta”, tha ai.
