Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka caktuar ushtruesin e detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Sprovues të Kosovës.
Në krye të këtij institucioni është vënë Ismet Fekaj.
“Do të vazhdoj angazhimin tim me përgjegjësi të plotë, në funksion të forcimit të kapaciteteve institucionale, avancimit të standardeve profesionale dhe realizimit të misionit të Shërbimit Sprovues të Kosovës në rehabilitimin dhe riintegrimin shoqëror të personave nën mbikëqyrje” ka shkruar Feka.
Ky është njoftimi i plotë i tij:
Me përgjegjësi të lartë institucionale dhe përkushtim profesional, ju njoftoj se, me vendim të Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Drejtësisë, znj. Donika Gërvalla, jam caktuar Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Sprovues të Kosovës.
Shpreh mirënjohjen time të sinqertë për besimin e dhënë, duke e konsideruar këtë përgjegjësi një vlerësim profesional, por mbi të gjitha një obligim të rëndësishëm për të shërbyer me integritet, paanshmëri dhe përkushtim institucional.
Do të vazhdoj angazhimin tim me përgjegjësi të plotë, në funksion të forcimit të kapaciteteve institucionale, avancimit të standardeve profesionale dhe realizimit të misionit të Shërbimit Sprovues të Kosovës në rehabilitimin dhe riintegrimin shoqëror të personave nën mbikëqyrje.
Besimi ndërtohet përmes punës, profesionalizmit dhe rezultateve konkrete.
Kur profesionalizmi, përkushtimi dhe përgjegjësia institucionale bëhen udhërrëfyes i punës, suksesi nuk është rastësi, por vazhdimësi.
Me përgjegjësi dhe përkushtim drejt sfidave dhe rezultateve të reja!