Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, priti në takim Ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, me të cilin diskutoi për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e drejtësisë, forcimin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar dhe avancimin e reformave institucionale.
Gjatë takimit, sipas njoftimit për media, Gërvalla ka theksuar rëndësinë e reformës në drejtësi si një proces thelbësor për transformimin e sistemit të drejtësisë, forcimin e integritetit institucional dhe garantimin e përgjegjësisë para ligjit.
“Themelimi dhe funksionalizimi i Byrosë, jetësimi i procesit të Vetingut, avancimi i pakos së projektligjeve të Reformës në Drejtësi dhe finalizimi i legjislacionit civil janë pjesë thelbësore e këtij angazhimi të përditshëm, për të ndërtuar institucione më të forta, për të garantuar llogaridhënie reale dhe për të dëshmuar se askush, pavarësisht emrit, pozitës apo pushtetit, nuk qëndron mbi ligjin”, është shprehur Gërvalla.
Ajo ka folur gjithashtu edhe për rëndësinë e finalizimit të Marrëveshjes me Austrinë për Bashkëpunim Gjyqësor në Çështjet Penale.


