Sot, më 4 nëntor, janë bërë gjashtë vjet nga arrestimi i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, dhe dërgimi i tij në Hagë.
Me këtë rast, djali i tij, deputeti Altin Krasniqi, ka publikuar një dedikim emocional, duke shprehur dhimbjen dhe mallin për babanë, i cili prej gjashtë vjetësh ndodhet larg familjes.
“Babë, sot u bënë 6 vjet… Asnjëherë nuk e kam pasur më të vështirë se këtë herë të shkruaj për këtë ditë. Herëve të tjera, sado e rëndë ishte pritja, e mbanim një shpresë në zemër, besonim se në fund do të kishte drejtësi, se një ditë kjo padrejtësi do të merrte fund dhe ti do të ktheheshe në shtëpi”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka theksuar se vitet që po kalojnë dhe mungesa e babait në familje janë ndër dhimbjet më të mëdha për të.
“E di, babë, që je plakur. E di që je lodhur. E di se sa e vështirë është ta kalosh çdo ditë të mbyllur, larg familjes, larg shtëpisë, larg njerëzve që të duan. E di se sa shumë të kanë munguar vitet që askush nuk mund të t’i kthejë më”, ka shkruar ai.


