Mbrëmë, Policia e Kosovës bëri thirrje për ndihmë në gjetjen e një 13-vjeçari nga Deçani, i cili u tha se ishte zhdukur që nga 1 nëntori në Ferizaj.
Ndërkaq sot, ky institucion bëri me dije se Ismail Qekiqaj, është gjetur.
Sipas policisë, ai ishte larguar nga strehimorja në fshatin Dardani të Ferizajt, ku ishte nën përkujdesjen e Qendrës për Punë Sociale.
“Pas angazhimit të hetuesve rajonalë në bashkëpunim me Qendrat për Punë Sociale në Ferizaj dhe Deçan, më 05.11. 2026, rreth orës 00:15, disa qytetarë e kanë vërejtur të miturin pranë një qendre tregtare në Ferizaj dhe e kanë dorëzuar në stacionin policor në Ferizaj”.
“Pas intervistimit nga hetuesit dhe përfaqësuesit e QPS-së, i mituri është vendosur për strehimin e tij të përkohshëm në një strehimore të sigurt, deri në gjetjen e një zgjidhjeje nga institucionet kompetente”, ka njoftuar Policia.
Ky institucion tha se po bashkëpunon edhe me institucionet tjera përkatëse për të vazhduar trajtimin e rastit sipas procedurave ligjore.