Katër punëtorë ndërtimtarie kanë vdekur në vendet e tyre të punës brenda dy ditëve të fundit. Rasti i fundit ka ndodhur dje në Skënderaj, i cili po hetohet si “vdekje e dyshimtë”. Reporteri.net ju sjell detaje rreth këtyre rasteve.
Një tjetër punëtor ndërtimtarie ka vdekur në vendin e tij të punës, gjatë ditës së djeshme në Skënderaj. Ky është rasti i katërt që nga e hëna.
Policia e Kosovës tashmë ka nisur hetime lidhur me vdekjen e tij. Përmes një njoftimi të lëshuar dje në mbrëmje, Policia ka thënë se është njoftuar se i njëjti kishte probleme shëndetësore dhe se gjendej i shtrirë.
Viktima është një 44-vjeçar, teksa rasti është iniciuar si “Vdekje e dyshimtë”.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit e Njësisë Rajonale të Hetimeve dhe të krim teknikës e poashtu edhe inspektorët e punës të cilët kanë kryer veprimet hetimore dhe procedurat e nevojshme ligjore. Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pa jetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë ndërsa iniciohet rasti ,,Vdekje e dyshimtë” dhe hetimet do të vazhdojnë për ndriçimin e plotë të rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftim.
Lajmin për vdekjen e 44-vjeçarit e ka konfirmuar fillimisht Kryetari i Komunës, Fadil Nura. Sipas tij, dyshohet se viktima ka pësuar infarkt.
Të hënën kanë vdekur edhe tre punëtorë ndërtimtarie. Dy prej tyre në një vendpunishte në Gjakovë.
Ata kanë vdekur pasi kanë rënë nga kati i tretë i një objekti në ndërtim e sipër, ku po punonin.
Lidhur me rastin janë arrestuar investitori dhe punëkryesi. Ndaj tyre, Gjykata Themelore e Gjakovës ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej një muaji.
Ata dyshohen se në cilësinë e investitorit dhe punëkryesit nuk kanë siguruar pajisjet mbrojtëse dhe nuk kanë ndërmarrë masat e nevojshme për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së punëtorëve.
“Sipas kërkesës, më 21 korrik 2025, në një vendpunishte në rrugën “Bardhyl Qaushi” në Gjakovë, si pasojë e mungesës së masave mbrojtëse dhe moszbatimit të rregullave për siguri në punë, kanë humbur jetën dy punëtorë, H. J. dhe D. B., pasi ranë nga kati i tretë i objektit në ndërtim. Për këtë ngjarje, të dyshuar janë Xh. P., si person përgjegjës i “NTSH Sh….” Sh.P.K, dhe A. M., si person përgjegjës i “M. G.” Sh.P.K, të cilët në cilësinë e investitorit dhe punëkryesit nuk kanë siguruar pajisjet mbrojtëse dhe nuk kanë ndërmarrë masat e nevojshme për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së punëtorëve”.
Prokuroria ka kërkuar caktimin e paraburgimit ndaj tyre, por gjyqtari i procedurës paraprake, Driton Sadiku, ka vlerësuar se në këtë fazë të procedurës penale masa e arrestit shtëpiak është e mjaftueshme për të siguruar praninë e dy personave të pandehur, të parandalojë përsëritjen e veprës penale dhe të sigurojë zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.