Gjermania do të ashpërsojë kriteret për kalimin e testit të gjuhës gjermane për emigrantët.
Kandidatët që synojnë nivelin B1 do të duhet të dëshmojnë njohuri në të gjitha pjesët e testit, ndërsa në pjesën më të dobët do të kërkohet së paku niveli A2.
Ky vendim ka ardhur pasi po synohet të parandalohen mashtrimet gjatë provimeve dhe për të garantuar vlerësimin e mirëfilltë të njohurive gjuhësore. Madje, në disa raste, kandidatët dyshohet se kanë siguruar në mënyrë të paligjshme në internet pyetjet dhe zgjidhjet e testit.
Sipas raportimit të mediumit gjerman RTL, ndryshimet në rregulloren për testet e kurseve të integrimit do të hyjnë në fuqi më 1 nëntor 2026.
Me rregullat e reja, kandidatët që synojnë të arrijnë nivelin B1 duhet të dëshmojnë nivelin B1 në pjesën e të folurit (Sprechen) dhe në të paktën njërën nga dy pjesët e tjera: dëgjim dhe lexim (Hören/Lesen) ose shkrim (Schreiben). Në pjesën tjetër të këtyre dy kategorive duhet të arrijnë së paku nivelin A2.
Kjo do të thotë se kandidatët nuk do të mund ta kalojnë testin në nivelin B1 duke u mbështetur vetëm në rezultate të larta në disa pjesë, ndërsa një pjesë tjetër ta lënë pa përfunduar ose të mos dëshmojnë njohuri të mjaftueshme.
