Kreu i Alenacës, Ardian Gjini, ka deklaruar se Kosova nuk ka përfituar as në aspektin taktik, as strategjik e as ligjor nga kthimi në Kuvend i Ligjit për Dhomat e Specializuara, me kërkesë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Në një konferencë për media, Gjini ka bërë të ditur se Aleanca ka qenë kundër kthimit të ligjit për rishqyrtim. Ai ka kërkuar që, përveç kësaj çështjeje, vëmendja publike të përqendrohet edhe te problemet e tjera që, sipas tij, po rëndojnë jetën e qytetarëve dhe po e dëmtojnë shtetin e Kosovës.
“E di që është interes i publikut ligji, Aleanca ka qenë kundër kthimit të ligjit në Kuvend. Nuk mendojmë që Kosova ka fituar diçka as taktikisht, as strategjikisht, as legalisht. Vendime të tjera do t’i bëjmë me dije. Mirëpo, po ju lutem, nuk guxojmë me i harru gjitha temat që e rëndojnë për çdo ditë jetën e qytetarit dhe që janë duke e degraduar komplet shtetin e Kosovës. Duke e dëmtuar deri në palcë shtetin tonë, veç me një ndjenjë që dikush e ka marrë një temë tjetër dhe po e harron temat esenciale. Është temë tepër me rëndësi ligji, për Kosovën, për të ardhmen e Kosovës, por unë po besoj që vendi jonë nuk guxon me e heq fokusin edhe prej temave të tjera”, tha ai, raportoi Ekonomia Online.




