Kandidati për kryetar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe i nominuari për kryeministër, Ardian Gjini, ka vlerësuar lart rrugëtimin politik të partisë dhe figurën e liderit të saj, Ramush Haradinaj, në Kuvendin e Përgjithshëm të AAK-së.
Gjini tha se është krenar që është pjesë e kësaj partie dhe se përgjegjësia që po merr është e madhe.
“Është krenari me qenë një prej jush, është krenari me qenë pjesë e kësaj partie kaq të jashtëzakonshme, e njerëzve kaq të jashtëzakonshëm. Shumë shumë faleminderit secilit prej jush. Jam i emocionuar, sikur secili prej jush. Edhe pavarësisht faktit që kur dalim me fol në momente të këtilla na dridhen duart, prapëseprapë duhet me nis diqysh,” tha ai.
Ai foli edhe për konceptin e altruizmit në politikë, duke e lidhur atë me sakrificën dhe shërbimin ndaj vendit.
“A është politika altruizëm? Domethënë me pas njerëz që japin gjithçka për vendin, për kombin, për njerëzit që i rrethojnë, po nuk lypin kurrgjë në këmbim. Bota e mençur ka vendosur moti që nuk është krejt ashtu. Ata që thonë që janë altruistë shpesh janë e kundërta. Por luftëtarët e lirisë janë shembulli i vërtetë i altruizmit, ata që kanë dhënë gjithçka pa e ditur çfarë marrin në këmbim,” u shpreh Gjini.
Gjini theksoi se sakrifica e së kaluarës po shpesh nuk po vlerësohet sa duhet.
“Jemi në një moment kur mohohet altruizmi i vërtetë i njerëzve që kanë dhënë gjithçka për vendin e vet, ndërsa po mashtrohet opinioni me altruizëm fallso. Krejt fallso,” tha ai.
