Gjykata e Apelit e Kosovës ka bërë një kthesë të madhe në rastin e njohur të veteranëve, duke ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe duke liruar nga akuza Agim Çekun dhe nëntë të akuzuar të tjerë, të cilët në shkallën e parë ishin shpallur fajtorë dhe dënuar me nga një vit burgim.
Aktgjykimi i Apelit është marrë në çështjen penale ndaj Agim Çekut, Nuredin Lushtakut, Sadik Halitjahës, Shkumbin Demaliajt, Qelë Gashit, Shukri Bujës, Ahmet Dakut, Rrustem Berishës, Faik Fazliut, Smajl Elezajt, Fadil Shurdhajt dhe Xhavit Jasharit, të akuzuar për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje.
Kolegji penal i Departamentit Special të Gjykatës së Apelit, i përbërë nga Mentor Bajraktari, kryetar, si dhe Valon Kurtaj e Vaton Durguti, anëtarë, ka aprovuar ankesat e mbrojtjes dhe ka ndryshuar aktgjykimin e 12 shtatorit 2025 të Departamentit të Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Me vendimin e ri, nga akuza janë liruar Agim Çeku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Apeli ka konstatuar se nuk është provuar se ata e kanë kryer veprën penale për të cilën janë akuzuar.
Ky vendim ndryshon rezultatin e shkallës së parë, e cila dhjetë të akuzuarit i kishte shpallur fajtorë dhe secilit i kishte shqiptuar nga një vit burgim.
Përveç dënimit me burgim, Themelorja i kishte obliguar ata të paguanin nga 200 euro për shpenzimet e procedurës penale dhe nga 50 euro në Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Me aktgjykimin e shkallës së parë, Qeveria e Kosovës ishte obliguar gjithashtu të formonte komisionet përkatëse për rishqyrtimin në procedurë administrative të listës së personave të përfshirë në shtojcën e aktakuzës, brenda një viti pasi aktgjykimi të merrte formën e prerë.
Ndryshe nga dhjetë të tjerët, Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj ishin liruar nga akuza që në shkallën e parë, pasi Themelorja kishte konstatuar se nuk ishte provuar se kishin kryer veprën penale për të cilën akuzoheshin.
Prokuroria kërkonte të kundërtën – dënime më të larta
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ushtruar ankesë kundër aktgjykimit të Themelores.
PSRK kërkonte që Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj të shpalleshin fajtorë dhe të dënoheshin, ndërsa për të akuzuarit që ishin dënuar me nga një vit burgim kërkonte shqiptimin e dënimeve më të larta.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, shkalla e parë kishte vërtetuar drejt fajësinë e të dënuarve, por dënimet e shqiptuara ndaj tyre ishin tepër të buta në raport me peshën e veprës penale dhe dëmin që pretendohej se i ishte shkaktuar buxhetit të Kosovës.
Megjithatë, Apeli ka ardhur në përfundim tjetër.
Ankesa e Prokurorisë Speciale lidhur me pjesën liruese është refuzuar si e pabazuar, ndërsa vendimi lirues për Nuredin Lushtakun dhe Smajl Elezajn është vërtetuar.
Ndërkohë, kërkesa e Prokurorisë për dënime më të larta ndaj të tjerëve ka mbetur pa objekt, pasi Apeli ka nxjerrë aktgjykim lirues ndaj tyre.
Për çfarë akuzoheshin?
Rasti lidhet me procesin e njohjes dhe verifikimit të statusit të veteranëve dhe kategorive të tjera të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas akuzës, të pandehurit, në cilësinë e personave zyrtarë dhe anëtarëve të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës, pretendoheshin se kishin shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, nuk kishin përmbushur detyrat e tyre dhe kishin tejkaluar kompetencat.
Prokuroria pretendonte se përmes këtij procesi u ishte mundësuar personave të tjerë që në mënyrë të kundërligjshme të përfitonin statusin e veteranit luftëtar.
Në aktgjykim përshkruhet pretendimi i akuzës se në listat e veteranëve luftëtarë ishin përfshirë edhe persona që, sipas Prokurorisë, u përkisnin kategorive të tjera, përfshirë persona të angazhuar në mbështetje politike, logjistike, financiare apo shërbime mjekësore, si dhe kategori të tjera të përshkruara në aktakuzë.
