Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për shpalljen fajtor të Astrit Zogianit dhe Faton Rrustemit, të akuzuar për korrupsion në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, ky vendim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt forcimit të sundimit të ligjit, llogaridhënies dhe integritetit institucional.
“Prokuroria Speciale mbetet e përkushtuar në luftimin e korrupsionit dhe që çdo keqpërdorim i detyrës zyrtare të trajtohet në përputhje me ligjin”, thuhet në reagimin e PSRK-së.
Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Astrit Zogiani, në cilësinë e menaxherit të financave dhe Faton Rrustemi, përgjegjës i sigurimit në Pallatin e Rinisë, kishin pranuar fajësinë lidhur me akuzat për korrupsion.
Sipas prokurorisë, dëmi i shkaktuar në këtë rast arrin mbi 107 mijë euro.
