Në gjykimin ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, dëshmitari Hasan Kerolli, të enjten deklaroi se edhe pas njoftimit nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), ishin udhëzuar që të vazhdojnë me tregtimin e energjisë me kompaninë Holding Slovenske Elektrane (HSE), përkundër se nuk ishte e licencuar në Kosovë apo Shqipëri.
“Edhe pas njoftimit të ZRrE-së, na kanë udhëzuar që të vazhdojmë tregtimin siç kanë vazhduar më parë, deri në njoftim të radhës”, tha Kerolli.
Kerolli, i cili është ekspert i lartë për analiza të tregut dhe tregtimit të energjisë në KEK, tha se kompania HSE në momentin e nënshkrimit të kontratës EFT, ka qenë e parakualifikuar pasi që në periudhën 2021-’22 nuk ishte kërkuar licenca nga ZRRE.
Lidhur me këtë, Kerolli tha se me kompanitë me të cilat kanë bërë tregtimin e energjisë- duhet të kenë selinë në Kosovë, mirëpo në rastin konkret, kompania HSE deri në vitin 2022 nuk ka pasur ndonjë pengesë apo ndalesë, dhe se nuk e kanë parë të arsyeshme që të bëjnë dy kompani paralelisht.
Ai deklaroi se për të hyrë në kontratë me KEK-un, duhet të plotësohen disa kushte, siç janë dosja e parakualifikimit ku përfshihen licenca nga ZRrE ose e njohur nga ZRrE, certifikata e biznesit, dëshmia nga gjykata se nuk janë të dënuar për vepra penale që kanë të bëjnë me biznesin, si dhe nga Gjykata Komerciale- dëshminë së nuk është pranë falimentimit, e të tjera.
Ai tha se në fund të vitit 2021, KEK-u ka filluar blerjen e energjisë dhe e kanë vazhduar deri më 10 janar 2022 dhe më 21 dhe 22 janar 2022, e më pas KESCO e cila ka bërë importimin e energjisë me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
