Qindra qytetarë nga të gjitha anët e Kosovës, nga rajoni dhe diaspora, janë mbledhur sot në qendër të Prishtinës për të protestuar kundër, siç po e quajnë ata, padrejtësive të Gjykatës Speciale në Hagë dhe në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim.
Protesta, që po mbahet në sheshin “Skënderbeu”, është organizuar nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së. Në këtë tubim, me theks të veçantë është përmendur përpjekja për të mbrojtur dinjitetin e luftës çlirimtare dhe për të kundërshtuar atë që po shihet si përpjekje për ta shtrembëruar historinë.
Ish-kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, në adresimin para qytetarëve, akuzoi Gjykatën Speciale për deformim të historisë së Kosovës.
“Sot, veteranët e UÇK-së i keni bërë shumë krenarë që jeni bashkuar kundër një gjykate anti-shtetit të Kosovës. Ne e kemi ditur se do të jemi bashkë gjithmonë kur rrezikohet dinjiteti ynë. Gjykata Speciale po deformon historinë tonë”, deklaroi Gucati.
